Një mollë në ditë e mban mjekun larg nesh. Kjo është shprehja që e bën mollën të shihet si një frut i shëndetshëm. Por ky nuk është thjesht një proverb antik. Ekspertët nutricionistë sjellin një listë të mrekullive të vogla që molla bën kur e konsumojmë përditë.
Përbërja
Molla ka vlera ushqyese dhe është një aleat i fortë i shëndetit. Në përbërje të saj janë: ujë, proteina, shumë pak yndyrna, sheqer i disa llojeve si fruktozë, glukozë dhe sakarozë, fibra e kripëra minerale si potasi, fosfori, kalciumi, magnezi dhe vitaminat C, PP, B1; B2, A.
Efektet pozitive në shëndet
- Lufton astmën. Një studim amerikan ka treguar se sasia e madhe e vitaminave dhe elementëve ushqyes te molla ndihmojnë në reduktimin e simptomave të astmës. Substancat e pranishme te molla pastrojnë rrugët e frymëmarrjes.
- Ndihmon në dieta. Molla ka pak kalori dhe si e tillë është e përshtatshme të përdoret nga personat që duan të bien në peshë. Ajo krijon ndjesinë ngopjes dhe rregullon florën intestinale, falë sasisë së madhe të fibrave.
- Mban nën kontroll kolesterolin dhe gliceminë. Fibrat si pektina arrijnë të ulin nivelin e kolesterolit në gjak, duke zvogëluar rrezikun e iktusit apo sëmundjeve të zemrës. Gjithashtu, ajo ndihmon pacientët me diabet, pasi ul nivelin e glicemisë në gjak.
- Ndihmon në rastet e diaresë. Pektina, e cila gjendet tek molla, ka aftësinë të transformohet në një shtresëz mbrojtëse për muret e stomakut, të cilat në rastet e diarresë janë të irrituara.
- Ka efekt laksativ. Molla njihet për vetitë e saj laksative në rast kapsllëku. Ekspertët sugjerojnë të konsumohet një mollë e pjekur në ditë, për të zgjidhur problemet e kapsllëkut.
- Redukton risqet e tumorit. Sipas studimeve, molla ul rrezikun e prekjes nga sëmundjet e rrugëve të tretjes, venave, variçeve dhe disa tipe të tumorit. E gjithë kjo falë polifenoleve, të cilat te molla janë me shumicë. Një studim italian i kohëve të fundit thotë se molla parandalon tumoret e gojës, ezofagut, qafës së mitrës, gjirit dhe prostatës.
- Aleat i bukurisë. Lëngu i një molle të freskët, i bashkuar me atë të limonit, tonifikon lëkurën. Një maskë e përgatitur me mollë të pjekur në qumësht ndihmon në shtrirjen e lëkurës, duke minimizuar rrudhat. Ndërsa lëkurat e thata bëhen më të buta me një maskë me mollë të grirë dhe kos.
bubullimalana@gmail.com